Anulohet seanca ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, Agron Mustafa
Foto: Arkiv

Anulohet seanca ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, Agron Mustafa

Kronika March 11, 2026 - 11:17

Me kërkesë të mbrojtësit të ish-kryeshefit të PTK-së, Agron Mustafa, avokatit Driton Muharremi, është anuluar seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Mustafa po akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme për rastin “Paykos”.

Një gjë e tillë u bë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zyra e gjykatësit të rastit, Sabit Sadikaj. Avokati Muharremi kërkoi anulimin e seancës për arsye shëndetësore dhe personale.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes vendimit të marrë më 5 mars 2024 e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Mustafës për rastin “Paykos” e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit thuhet të jetë afër 7 milionë euro.

Kurse, Gjykata e Apelit më 14 gusht 2024 e ka refuzuar ankesën e paraqitur nga Mustafa, duke konfirmuar aktakuzën për lidhje të kontratës së dëmshme.

Ndryshe, për këtë çështje penale Themelorja më 9 janar 2024 ka mbajtur seancën fillestare, në të cilën i pandehuri Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila rezulton të jetë përpiluar më 3 maj 2023, i akuzuari Mustafa në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16 mars 2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që fillimisht ka lidhur kontratë – marrëveshje me “Paykos” LLC ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në, ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.

Tutje, akti akuzues thotë se i akuzuari Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës, ka nënshkruar vazhdimisht ankese shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH, duke e favorizuar kështu “Paykosin” në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.

Sipas akuzës, të dëmshme janë vlerësuar Aneksi II, III, V dhe VI, Memorandumi i vitit 2016 dhe Marrëveshja komerciale-bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.

Me lidhjen e këtyre ankesave-marrëveshjeve, akuza thotë se i akuzuari Mustafa me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, ashtu që i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.

Me këto veprime, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga Neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me Nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.

Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij dhe dy ish-drejtuesve tjerë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion.