Vazhdon operacioni për gjetjen e Alush Kastratit, në kërkim përfshihen edhe ekipet e paragllajdingut

Vazhdon operacioni për gjetjen e Alush Kastratit, në kërkim përfshihen edhe ekipet e paragllajdingut

Kronika March 11, 2026 - 09:04

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar se aksioni për gjetjen e personit të zhdukur Alush Kastrati ka vazhduar edhe gjatë natës së mbrëmshme, me ekipet e angazhuara që kanë qëndruar në terren, duke kontrolluar zona të ndryshme dhe duke punuar pa ndërprerje në kërkim të tij.

Sipas njoftimit të publikuar të martën, gjatë gjithë kohës në terren ka qenë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka përcjellë nga afër zhvillimet e aksionit dhe ka qëndruar pranë ekipeve të angazhuara dhe vullnetarëve që po kontribuojnë në këtë përpjekje.

Shoqata bëri të ditur se operacioni i kërkimit ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, me qëllim gjetjen e personit të zhdukur.

Për të rritur mundësitë e kërkimit, në operacion është angazhuar edhe departamenti i paragllajdingut, i cili po kontrollon zonat nga ajri në mbështetje të ekipeve që po operojnë në terren.

Nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim thuhet se operacioni i kërkimit po vazhdon me intensitet të shtuar dhe me shpresën që personi i zhdukur të gjendet sa më shpejt.