Katër policë lëndohen gjatë arrestimit të një 45-vjeçari në Samadraxhë të Suharekës
Katër zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore gjatë arrestimit të një 45-vjeçari në fshatin Samadraxhë të Suharekës.
Sipas Policisë, rasti është raportuar më 10 mars, rreth orës 08:30, pasi një qytetar kishte njoftuar se i dyshuari B.K., nga Samadraxha, kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” duke vendosur shufra metalike të ngulitura në tokë dhe të lidhura me tel, duke penguar qarkullimin e banorëve.
Patrullat policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë me një armë të ftohtë (thikë).
Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta neutralizuar sulmin dhe ka arritur ta arrestojë të dyshuarin. Gjatë procesit të arrestimit, për shkak të kundërshtimit të dhunshëm, katër policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por jo nga goditjet me thikë.
I dyshuari është dërguar në stacionin policor në Suharekë, ndërsa në konsultim me Prokurorinë e Shtetit pritet të ndërmerren veprimet e mëtejshme procedurale, në përputhje me legjislacionin penal të Republikës së Kosovës. /Zëri