Dogana ndalon mallra kozmetike të padeklaruara, që po vinin nga Shqipëria
Zyrtarët doganorë në pikën kufitare Vërmicë kanë parandaluar futjen e një ngarkese të padeklaruar mallrash në Kosovë, duke ndaluar për kontroll një automjet që hynte në territorin e Kosovës nga pika kufitare me Shqipërinë në Vërmicë.
Siç ka njoftuar Dogana, gjatë pyetjes standarde për mallrat që kërkohet të deklarohen, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte asgjë për deklarim. Megjithatë, duke u bazuar në analizën e rrezikut, automjeti është selektuar për kontroll të detajuar në vijën e dytë.
Kontrolli ka zbuluar gjithsej 610 produkte kozmetike dhe të kujdesit personal, duke përfshirë artikuj për lëkurën dhe flokët, maska fytyre dhe parfume të markave të njohura.
Në këtë rast është konstatuar kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallrave, ndërsa janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët dhe operatorët ekonomikë se çdo mall që tejkalon kufijtë e lejuar duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore, për të shmangur shkeljet ligjore dhe pasojat që rrjedhin nga to. /Zëri