Arratiset një i burgosur nga QKUK-ja, pezullohen dy zyrtarë korrektues

Arratiset një i burgosur nga QKUK-ja, pezullohen dy zyrtarë korrektues

Kronika February 27, 2026 - 16:09

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot, rreth orës 03:10, nga ambientet e Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është arratisur i burgosuri me inicialet F.M.

Sipas njoftimit, i dënuari ishte hospitalizuar më 16 shkurt 2026 nga Qendra Korrektuese në Dubravë në repartin e Onkologjisë, në katin e dytë të QKUK-së, ku qëndronte në dhomën nr. 2 së bashku me pacientë të tjerë.

Ai është i dënuar për veprën penale “Vjedhje e Rëndë”, është arrestuar më 24 tetor 2025 dhe po vuante një dënim prej katër vitesh burgim. Sipas të dhënave zyrtare, lirimi i tij ishte paraparë më 8 qershor 2029.

SHSKUK ka njoftuar se menjëherë pas rastit është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa brenda Shërbimit Korrektues është themeluar një komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe për të verifikuar nëse ka pasur shkelje eventuale nga zyrtarët përgjegjës për sigurinë dhe mbikëqyrjen e tij.

“Si masë e menjëhershme, komisioni disiplinor ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues, deri në përfundim të procedurave hetimore. Pas dorëzimit të raportit të komisionit, autoritetet kanë paralajmëruar ndërmarrjen e masave përkatëse në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga hetimi”, thuhet në njoftim. /Zëri