Policia e Kosovës hedh poshtë dezinformatat për të shtëna ndaj policisë serbe në kufirin Kosovë – Serbi
Policia e Kosovës ka sqaruar publikisht se lajmet e përhapura në disa media, kryesisht serbe, për të shtëna dhe pengesa të vendosura nga persona shqiptarë të maskuar në zonën Madljika nuk përputhen me realitetin.
Sipas njoftimit të PK-së, pas verifikimeve të plota institucionale dhe ndërmarrjes së të gjitha masave policore, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare që të konfirmojë ndonjë incident të tillë në brezin kufitar të kësaj zone.
“Policia e Kosovës sqaron me përgjegjësi të plotë institucionale se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore, duke përdorur të gjitha format verifikuese institucionale, duke rezultuar se nuk ka dëshmi apo të dhëna zyrtare për ndonjë rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar të asaj zone”, thotë Policia e Kosovës.
Policia thekson se ngjarjet e raportuara dje janë të ngjashme me një rast të datës 05 shkurt 2026 në fshatin Parada të Kurshumlisë në Serbi, ku pretendoheshin të shtëna ndaj policisë serbe, duke ngritur dyshime për prodhim të qëllimshëm të dezinformatave. Zonat e përmendura janë fshati Reqicë në territorin e Republikës së Kosovës dhe afër kufirit me Serbinë.
“Fakti që lajmi i djeshëm është i ngjashëm me atë të datës 07.02.2026, ku ishte raportuar se me datën 05.02.2026 rreth orës 16:00 ka pasur të shtëna (më shumë se 100 plumba nga armë automatike) në drejtim të Policisë së Serbisë në fshatin Parada të Kurshumlisë, territori i Serbisë, nga persona të panjohur, të cilët më pas sipas tyre, kishin ikur në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës, shton dyshimet për orkestrim të qëllimshëm të prodhimit të dezinformatave”, thuhet në sqarimin e Policisë.
Tutje thuhet se për të gjitha veprimet është informuar edhe KFOR-i dhe se patrullimet e përbashkëta me këtë trupë vazhdojnë në mënyrë të rregullt.
Policia e Kosovës rikujton se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke u bazuar vetëm në informacione zyrtare për të parandaluar përhapjen e dezinformatave. /Zëri