Rivarroset sot Masar Dushi, i cili ishte zhdukur në masakrën e Kralanit

Rivarroset sot Masar Dushi, i cili ishte zhdukur në masakrën e Kralanit

Kronika February 27, 2026 - 10:28

Sot do të bëhet rivarrosja e Masar Dushit, i cili ishte zhdukur në masakrën e Kralanit në prillin e vitit 1999, e mbetjet mortore të të cilët u gjetën tek tani, pas 27 vjetësh.

Fillimisht, duke filluar nga ora 11:30, do të bëhen homazhe ne shtëpinë e kulturës “Jehona e Dukagjinit” Klinë, për të vazhduar pastaj në orën 13:00 me Akademinë Përkujtimore.

Ndërsa në orën 14:00 do të bëhet rivarrimi në varrezat e dëshmorëve, Kodra e Kuqe - Zajm, Klinë.

Masar Dushi ishte vetëm 23 vjeç kur u ndalua nga forcat serbe.

Kujtojmë që në janar të po këtij viti ishte gjetur edhe trupi i Rasim Kocit, i zhdukur në prillin e vitit 1999 në afërsi të fshatit Osek Hylë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas familjarëve, ai ishte arrestuar nga forcat serbe, më pas ishte vrarë dhe trupi i tij ishte zhdukur.