I kërkuan një qytetari ryshfet 400 euro për vendosjen njehsorit elektrik, kërkohet paraburgim për dy zyrtarët e KEDS-it

I kërkuan një qytetari ryshfet 400 euro për vendosjen njehsorit elektrik, kërkohet paraburgim për dy zyrtarët e KEDS-it

Kronika February 26, 2026 - 15:14

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore e qytetit caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, B.B. nga Prishtina dhe E.K. nga Obiliqi, për shkak të dyshimit për veprën penale “Pranimi i rryshfetit në sektorin privat”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, dyshimet bazohen në ngjarjen e 25 shkurtit 2026, rreth orës 14:30, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, në objektin e KEDS-it. I pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., si koordinator për lidhje të reja, dyshohet se i kanë kërkuar 400 euro një personi privat, A.H., me pretekstin se vendosja e njehsorit elektrik do të bëhej brenda një jave, përndryshe do të duhej të prisnin pesë deri gjashtë muaj. Sipas prokurorisë, kjo shumë do të duhej të ndahej mes katër personave.

Pas marrjes së informacionit, policia ka ndërmarrë masa hetimore dhe të dy të pandehurit janë arrestuar në flagrancë, duke u dyshuar për veprën penale të kryer në bashkëkryerje, sipas nenit 309 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Nga data 25 shkurt 2026, dy të pandehurit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh, sipas vendimit të Prokurorit të Shtetit. Hetimet vazhdojnë. /Zëri