Zbulohen detaje rreth policit që u kap me 1 milion euro në Merdare

Zbulohen detaje rreth policit që u kap me 1 milion euro në Merdare

Kronika February 26, 2026 - 09:13

Polici Aurel Kaziu u arrestua një ditë më parë pasi u kap në territorin e Kosovës me një milion euro në makinë dhe më pas u pezullua nga detyra.

Sipas Top Channel, Kaziu kishte më pak se një vit në detyrë dhe dyshohet se është përdorur nga grupet kriminale për të transportuar paratë drejt Shqipërisë.

Tutje bëhet e ditur se policia i binte për rrugë tokësore nga Serbia drejt Kosovës, derisa pala kosovare kishte marrë informacione.

Zbulimi i kësaj shume të parave u bë pasi zyrtarët doganorë zgjodhën një automjet për ta kontrolluar në detaje.

“Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X, ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, njoftoi dogana e Kosovës.

“Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1 milion euro”, tha Dogana, ndërsa efektivi është arrestuar.