Dogana e Kosovës asgjëson mbi 146 mijë produkte të falsifikuara “Cola”, “Fanta” e “Sprite”
Në kuadër të masave për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe sigurisë së konsumatorëve, Dogana e Kosovës ka asgjësuar 146.886 copë sprej për higjienën e gojës, të cilat rezultuan të falsifikuara.
Sipas njoftimit të Doganës, produktet mbanin në mënyrë të paautorizuar markat tregtare “Coca-Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”.
"Mallrat ishin sekuestruar nga Dogana pas identifikimit të dyshimeve për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet kompetente dhe bartësit e të drejtave, si dhe pas përfundimit të procedurave ligjore, gjykata kompetente ka marrë vendim për asgjësimin e tyre", thuhet në njoftim.
Po ashtu përmes njoftimit thuhet se produkte të tilla të falsifikuara, veçanërisht ato që lidhen me higjienën personale, mund të paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve, pasi nuk i nënshtrohen kontrolleve dhe standardeve të sigurisë dhe cilësisë.
"Asgjësimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nën mbikëqyrje doganore, me qëllim parandalimin e hedhjes së këtyre produkteve në treg", thuhet në njoftim.
Ky veprim, sipas Doganës, dëshmon përkushtimin institucional në luftimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të sigurt dhe të drejtë.