Detaje të reja të vrasjes së shqiptarit nga bashkatdhetari në Itali, si nisi sherri mes të rinjve?

Detaje të reja të vrasjes së shqiptarit nga bashkatdhetari në Itali, si nisi sherri mes të rinjve?

Kronika February 17, 2026 - 11:59

Mediat italiane kanë publikuar detaje të tjera në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Kevin Muharremi nga bashkatdhetari Renato Xyke, 20-vjeç, pak ditë më parë në Itali.

Sipas hetimeve paraprake, debati mes të rinjve dyshohet se ka nisur për shkak të një dëmtimi të lehtë në një makinë, që u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit disa orë më vonë.

Kevin Muharremi u godit nga tre plumba teksa ndodhej në sediljen e pasagjerit. I dyshuari Renato Xyke, po ashtu me origjinë shqiptare, dyshohet se ka qëlluar disa herë drejt automjetit nga një Range Rover Evoque gri i errët.

Autoritetet po analizojnë dëshmitë, pamjet e kamerave të sigurisë dhe telefonat celularë të personave të përfshirë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e ngjarjes.

Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes, la armën në Montecalvoli dhe u nis drejt Romës me familjen e tij.

Hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e personave të tjerë të pranishëm dhe për të përcaktuar nëse takimi në Montecalvoli ishte i rastësishëm apo i organizuar për të zgjidhur konfliktin.