Supremja ndërpret paraburgimin për nëntë të dyshuarit për falsifikim të votave në Prizren

Supremja ndërpret paraburgimin për nëntë të dyshuarit për falsifikim të votave në Prizren

Kronika February 13, 2026 - 15:21

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e nëntë të pandehurve në rastin e falsifikimit të rezultateve të votimit, duke ua ndërprerë masën e paraburgimit dhe duke i liruar për t’u mbrojtur në liri.

Sipas aktgjykimit, Supremja ka ndryshuar vendimet e shkallëve më të ulëta, përkatësisht ato të Gjykata Themelore në Prizren dhe Gjykata e Apelit e Kosovës, të cilat kishin caktuar dhe vërtetuar masën e paraburgimit ndaj B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G. dhe I.P., të dyshuar për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Po ashtu, me aktgjykimin tjetër, Supremja ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë edhe për të pandehurin H.P., duke ia ndërprerë masën e paraburgimit dhe duke e liruar për t’u mbrojtur në liri për të njëjtën vepër penale.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për ndërprerjen e masës së paraburgimit, duke theksuar respektimin e parimit të ligjshmërisë dhe të drejtave procedurale të të pandehurve. /Zëri