Ndjekje dramatike nga Obiliqi në Mitrovicë, arrestohet shoferi që tentoi t’i ikte policisë
Një ndjekje e gjatë policore, që filloi në zonën e Obiliqit dhe përfundoi në Mitrovicë, ka rezultuar me arrestimin e një shoferi dhe tre pasagjerëve të tij, të cilët tentuan t’i shmangeshin Policisë gjatë natës së 7 shkurtit.
Sipas Policisë, një njësi patrulluese kishte tentuar ta ndalonte automjetin e dyshuar, por shoferi nuk iu ishte bindur sinjalizimeve, duke rrezikuar zyrtarin policor dhe duke vazhduar arratinë drejt Vushtrrisë e më pas Mitrovicës.
Ndjekja u koordinua mes Njësisë së Trafikut të Stacionit Policor të Obiliqit dhe Njësive të Trafikut të Mitrovicës së Jugut, të cilat vazhdimisht përdorën sinjalizimet zyrtare për ndalim. Gjatë arratisë, shoferi rrezikoi edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, ndërsa në zonën e Mitrovicës goditi tri herë veturën policore që ishte në ndjekje.
Falë shkathtësisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve policorë, të cilët vepruan me maturi për të mos rrezikuar qytetarët, automjeti u ndal në një lokacion të përshtatshëm në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në fshatin Zupç. Aty u arrestua shoferi, ndërsa u shoqëruan edhe tre pasagjerët.
Dy zyrtarë policorë të lënduar gjatë ndjekjes morën trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorit kompetent, shoferit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rasti po hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”./telegrafi