Goditi babanë me sëpatë, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin nga Deçani
Foto: Laura Hasani

Goditi babanë me sëpatë, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin nga Deçani

Kronika February 06, 2026 - 21:10

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit K.M., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.

Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Musë Povataj, pas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda. Sipas gjykatës, ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të paraparë në nenin 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Masa e paraburgimit është caktuar në bazë të kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe do të zbatohet nga data 6 shkurt 2026, në ora 04:00, deri më 6 mars 2026.

Sipas vendimit të gjykatës, paraburgimi do të mbahet fillimisht në Repartin e Psikiatrisë në Pejë, për aq kohë sa vlerësohet i nevojshëm trajtimi shëndetësor i të pandehurit, ndërsa pas përfundimit të trajtimit ai do të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit.

Ndryshe, dje është arrestuar një person nën dyshimin për veprën penale vrasje në tentativë, pas një incidenti të rëndë që ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit, ku një person dyshohet se është lënduar rëndë me sëpatë nga një familjar i tij.

Rastin fillimisht e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare rreth orës 15:35.

“Rreth orës 15:35, Stacioni Policor është njoftuar nga QMF se është duke u trajtuar një person i lënduar me mjet të fortë, sëpatë, i cili dyshohet se është lënduar nga një familjar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit. Personi i lënduar është dërguar në emergjencën e Pejës për shkak të lëndimeve që ka pësuar. Prokurorja e shtetit është njoftuar me rastin dhe ka autorizuar që me rastin të merret sektori i hetimeve rajonale për shkak të peshës së veprës”, ka deklaruar Gashi.