Arrestohen tre persona për grabitje në Prizren, policia u gjeti maska dhe armë

Arrestohen tre persona për grabitje në Prizren, policia u gjeti maska dhe armë

Kronika February 05, 2026 - 15:21

Më datë 03.02.2026, rreth orës 01:10, dy persona në Prizren kishin raportuar se ishin grabitur nga tre persona të armatosur me thikë e pistoleta.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një pune hetimore ka arritur të identifikojë tre persona të dyshuar për këtë rast, raporton Zeri.info.

Sipas PK-së, i dyshuari i parë është arrestuar pranë një lokali në Prizren dhe në trup i është gjetur një armë, kurse në veturë i është gjetur një armë tjetër, dy maska, doreza dhe rroba, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.

Pas tij janë arrestuar edhe dy persona të tjerë në një lokacion të ndryshëm në Prizren.

“Me urdhër të Prokurores së rastit, janë realizuar bastisje në shtëpitë e njërit prej të dyshuarve dhe në një lokal, ku janë gjetur prova shtesë.

Dy nga të dyshuarit, në prezencë të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar veprën e kryer. Me urdhër të prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit: K.K. (20 vjeç), Sh.G. (20 vjeç), L.G. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë. I dyshuari i katërt, V.S., nuk është hasur në shtëpi dhe aktualisht gjendet në arrati.

Rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve – Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit”, thuhet në njoftim. /Zëri