Shuhet familja shqiptare katëranëtarëshe në Itali, pas helmimit nga gazi i kaldajës
Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Porcari të Italisë, komunë e zonës Piana di Lucca. Për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht, katër anëtarë të një familje shqiptare me origjinë nga Peqini, babai, nëna dhe dy fëmijët, kanë humbur jetën për shkak të një rrjedhjeje monoksidi karboni, e cila me shumë gjasa është shkaktuar nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre në rrugën Galgani.
Ka shpëtuar, por ndodhet në gjendje kritike, një person i pestë: bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit, i cili kishte mbërritur në vendngjarje pasi familjarët nuk po i përgjigjeshin telefonit. Viktimat janë katër persona me origjinë shqiptare: babai Arti Kola ishte 48 vjeç, nëna Jonida Kola 43 vjeçe, djali Hajdar 22 vjeç dhe vajza Xhesika 15 vjeçe. Edhe karabinierët, të cilët mbërritën në vend për të dhënë ndihmën e parë, u intoksikuan lehtë, por nuk janë në rrezik për jetën.
Tragjedia ndodhi rreth orëve të darkës: vëllai i kryefamiljarit dhe karabinerët, në momentin që hynë në shtëpi, gjetën tryezën të shtruar. Alarmin e dha pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët: sapo mbërritën në banesën trekatëshe, ai dhe efektivët trokitën disa herë, pa marrë asnjë përgjigje.
Në atë moment ata e thyen derën dhe, sapo hynë brenda, u përballën me një skenë dramatike, me katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë.
Xhaxhai i dy fëmijëve të mitur, gjithashtu për shkak të monoksidit të karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve, të cilët arritën të dilnin nga shtëpia përpara se të pësonin të njëjtin fat dhe të jepnin alarmin. Ai u dërgua në spitalin e Cisanellos.
Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe keqardhje për një tragjedi që godet të gjithë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Lucca-s.
Karabinierët, në orët në vijim, do të analizojnë disa të dhëna të sakta. Së bashku me zjarrfikësit, ata do të duhet të kuptojnë nëse kaldaja ishte instaluar siç duhet dhe nëse i ishte nënshtruar kontrolleve të parashikuara nga ligji.
Banesa ku ndodhi tragjedia është pronë e Arti Kolës, i cili, sipas disa dëshmitarëve, e kishte blerë rreth tre vjet më parë, por vetëm kohët e fundit familja kishte filluar të jetonte aty. Shtëpia thuhet se ishte restauruar pjesërisht nga vetë ai, piktor me profesion, ndoshta së bashku me disa miq. Ndërkohë djali i tij, vetëm 22-vjeçar punonte si elektriçist.
Familja Kola e kishte blerë banesën prej tre vjetësh, por ishte vendosur aty kohët e fundit . Ishte vëllai i kryefamiljarit që njoftoi karabinierët pasi familja nuk po i përgjigjej në telefon. Edhe ai u helmua nga monoksidi i karbonit dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Dyshimet janë se rrjedhja e monoksidit të karbonit ka ndodhur për shkak të një defekti në kaldajë. /shqiptarja.com