Dy vjet burg për mitrovicasin që kanosi vajzën dhe bashkëshorten e tij

Dy vjet burg për mitrovicasin që kanosi vajzën dhe bashkëshorten e tij

Kronika February 04, 2026 - 15:18

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Shqipe Sejdiu, ka shpallur më 3 shkurt 2026 aktgjykimin ndaj të pandehurit M.F., duke e dënuar me dy vjet burgim për veprën penale të kanosjes.

Aktgjykimi është shpallur përmes videoincizimit, pasi i pandehuri ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë. Sipas vendimit të gjykatës, M.F. është shpallur fajtor për veprën penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të datës 5 gusht 2024.

Sipas aktgjykimit, ngjarja ka ndodhur më 3 qershor 2024, në banesën e përbashkët familjare në Mitrovicë, ku i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, ka kanosur seriozisht vajzën e tij, e cilësuar si viktimë e ndjeshme, duke i shkaktuar frikë dhe ankth për jetën dhe sigurinë e saj. Po ashtu, në të njëjtën datë, kohë dhe vend, ai ka kanosur edhe bashkëshorten e tij, përmes fjalëve dhe veprimeve kërcënuese, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e saj.

M.F. gjendet në paraburgim që nga 3 qershori 2024, ndërsa gjykata ka vendosur që masa e paraburgimit të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në vuajtjen e dënimit me burgim.

Në arsyetimin e vendimit, gjykata ka theksuar se veprimet e të pandehurit përbëjnë cenim serioz të sigurisë personale, veçanërisht në rrethana të dhunës në familje, duke e cilësuar rastin si shkelje të rëndë të rendit juridik dhe sigurisë familjare.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim. /Zëri