Përleshja mes emigrantëve në Itali, shkon në 13 numri i të arrestuarve, disa prej tyre shqiptarë
Një përleshje e dhunshme dhe masive ka ndodhur mes dy grupeve ekstrakomunitare në Peruxhia të Italisë fundvitin e kaluar, ku mes të lënduarve dhe të implikuarve të arrestuar ka edhe shtetas shqiptarë.
Autoritetet italiane thanë se 3 urdhër-arreste të tjera janë lëshuar për përleshjen që ndodhi më 29 dhjetor pranë një stacioni karburanti në Sant’Andrea delle Fratte.
Pas arrestimeve të 11 personave të moshës midis 19 dhe 31 vjeç, me origjinë shqiptare, maqedonase dhe rumune, në javët e fundit, dy burra shqiptarë, të moshës 41 dhe 43 vjeç, janë vendosur në arrest shtëpiak në orët e fundit, ndërsa një person i tretë është në kërkim nga forcat e rendit.
Të gjithë akuzohen për përleshje të rënduar. Oficerët e karabinierëve nga stacioni i Peruxhia, së bashku me kolegët e tyre nga Regjimenti i 8-të i Lacios, ekzekutuan urdhrin paraprak të paraburgimit të lëshuar nga gjyqtari hetues i Gjykatës, me kërkesë të Prokurorisë Publike.
Incidenti pati si zanafillë një mosmarrëveshje midis fraksioneve kundërshtare dhe u përshkallëzua në një luftë të vërtetë. Gjatë përleshjes, një burrë 27-vjeçar maqedonas u plagos pasi u godit nga një makinë e drejtuar nga dy persona që përpiqeshin të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
27-vjeçari u transportua nga shërbimet e urgjencës mjekësore. I riu u arrestua më pas së bashku me autorët e tjerë të përleshjes së dhunshme. Pati edhe të paktën pesë të lënduar të tjerë, por pa rrezik jete.
Gjatë përleshjes, përveç grushteve dhe shkelmave, u përdorën shishe, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta. Pas njëmbëdhjetë arrestimeve fillestare, tre të tjerët janë identifikuar tani. Një 31-vjeçar shqiptar mbetet ende në kërkim. /oranews