Aktakuzë kundër dy personave për ryshfet dhe kalim të paautorizuar të kufirit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, A.K. dhe B.C., për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale të ryshfetit dhe kalimit të paautorizuar të kufirit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, më 22 dhjetor 2025, rreth orës 08:10 në Pikën Kufitare në Vërmicë, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim përfitimin pasuror për vete. Në këtë mënyrë, A.K. ka mundësuar hyrjen e B.C. në Kosovë, edhe pse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja për mungesë dokumentacioni, duke e kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme me automjetin e tij.
Nga ana tjetër, B.C. akuzohet për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.
Prokurori ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Përveç dënimit kryesor, për A.K. është propozuar edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.