Pezullohet nga puna një zyrtar korrektues, dyshohet se mundësoi futjen e kontrabandës brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se ka pezulluar nga puna zyrtarin me inicialet S.D pasi dyshohet se tentoi futjen e kontrabandës brenda Qendrës së Paraburgimit në Dubravë.
Pas informacioneve nga institucionet e sigurisë, gjatë një kontrolli të qëllimshëm në hyrje u ndalua zyrtari S.D., te i cili u gjetën të fshehura substanca të dyshuara narkotike.
Dyshohet se ai kishte qëllim t’i futë këto substanca brenda institucionit.
Për rastin janë njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit. I dyshuari është arrestuar, dhe rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj zyrtarit në fjalë, duke e pezulluar nga detyra. Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së dhe masa mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive të tilla negative dhe do të veprojë në përputhje me ligjin ndaj çdo individi të përfshirë, pa përjashtim, duke mos toleruar asnjë rrezikim të sigurisë dhe integritetit të institucioneve korrektuese”, theksohet në njoftim.