Të akuzuarit për krime lufte në Izbicë Muhamet Alidemajt në rigjykim i ulet dënimi

Të akuzuarit për krime lufte në Izbicë Muhamet Alidemajt në rigjykim i ulet dënimi

Kronika February 02, 2026 - 13:36
Alidemaj dënohet me 13 vjet burgim për krime lufte kundër njerëzimit

Gjykata Themelore e Prishtinës edhe në rigjykim e ka dënuar me 13 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte në Izbicë, Muhamet Alidemaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e pati shpallur Alidemajn fajtor dhe e pati dënuar me 15 vjet burgim. 

Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim. 

Në aktgjykimin e shkallës së dytë thuhej se në të mungojnë arsyet për faktet vendimtare që nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë.

Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesl Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor sot me datë 02.02.2026, ndaj të akuzuarit është fajtor se ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullsisë civile. Trupi gjykues në bazë të dispozitave, të akuzuarin Muhamet Alidemaj e shpall fajtor edhe e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vjetëve”, tha ai.

Ndryshe, në seancën fillestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.

Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit.

Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga Neni 146, lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /eo