Vetura godet këmbësoren 7-vjeçare në Podujevë, dërgohet në QKUK
Kronika
January 31, 2026 - 09:05
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Surkish në Podujevë, ku një veturë ka goditur një fëmijë 7-vjeçare.
Sipas raportit të Policisë, rreth orës 18:19, i dyshuari, një mashkull kosovar, duke drejtuar veturën e tij, ka goditur një vajzë 7-vjeçare, e cila ishte këmbësore në atë segment rrugor.
Si pasojë e aksidentit, e mitura ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po vazhdon marrjen e ndihmës mjekësore.
I dyshuari është ndaluar përkohësisht në stacion policor, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës dhe organet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. /Zëri