Muri i shembur e zuri një person në Han të Elezit, Policia jep detaje për incidentin
Një incident i rëndë është raportuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Meliq, në komunën e Hanit të Elezit, ku është shembur një mur mbrojtës i rrugës, duke zënë një automjet që po qarkullonte në atë segment.
Sipas informatave zyrtare, rreth orës 20:45, muri është shembur papritur dhe ka rënë mbi një veturë, brenda së cilës ndodhej një mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës. Si pasojë e incidentit, ai ka mbetur i lënduar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilët kanë arritur ta nxjerrin viktimën nga automjeti dhe ta dërgojnë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, si dhe Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME). Me rekomandim të tyre, familjet që jetojnë në afërsi të vendit të ngjarjes janë evakuuar për arsye sigurie, përderisa një patrullë policore ka mbetur në vendngjarje për të siguruar zonën deri në zhvillimet e mëtejme.
Autoritetet pritet të nisin hetimet për të sqaruar shkaqet e shembjes së murit dhe për të vlerësuar rrezikun potencial për zonën përreth./Zëri