Manipulimi me vota në Prizren, Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim pesë të dyshuarve

Manipulimi me vota në Prizren, Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim pesë të dyshuarve

Kronika January 30, 2026 - 21:50

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muajit ndaj pesë personave të dyshuar për veprat penale kundër të drejtës së votimit, keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar.

Nga Gjykata theksohet edhe se, të dyshuarit, A.Sh., I.B., B.S:, H:P., dyshohen se kanë falsifikuar rezultatet e votimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, transmeton Gazeta Express.

Kurse N.B, dyshohet se ka kryer veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar

Komunikata:

Caktohet masa e paraburgimit ndaj pesë (5) të pandehurve , për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale

Prizren, 30 janar 2026– Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot ka mbajtur tre (3) seanca dëgjimore, referuar kërkesave të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj pesë (5) të pandehurve, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar.

Gjyqtarët e procedurës paraprake, kanë marrë vendim si në vijim: Katër (4) të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S:, H:P., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 28.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.

Ndaj një (1) të pandehuri, N.B., i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 28.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar, nga neni 414 par. 3, nën par. 3.2, (mos kryerja me dashje e ndonjë detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj) të KP-së.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.