I dyshuari për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut kapet në Tiranë me dokumente false të një shtetasi të Kosovës

I dyshuari për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut kapet në Tiranë me dokumente false të një shtetasi të Kosovës

Kronika January 27, 2026 - 10:33

Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut është lokalizuar dhe arrestuar në Tiranë, pas disa muajsh hetime dhe gjurmime nga Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit njofton se arrestimi u krye nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të fazës së 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Sipas njoftimit zyrtar, 52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, në zonën e Liqenit të Thatë, duke përdorur dokumente identifikimi dhe leje drejtimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova.

“Gjatë verifikimeve të thelluara rezultoi se shtetasi i shoqëruar ishte person i shpallur në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë”, bën të ditur Policia e Shtetit.

I arrestuari është identifikuar si B. Sh., 52 vjeç, banues në Kopanicë, Saraj, Maqedonia e Veriut. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkupi, pasi Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, për të cilën legjislacioni penal i RMV-së parashikon dënim maksimal burgim të përjetshëm.

Sipas autoriteteve, B. Sh. dyshohet se më 5 tetor 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka vrarë me armë zjarri tre shtetas.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, policia i ka gjetur dhe sekuestruar një pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje drejtimi automjeti, të gjitha të falsifikuara.

Materialet procedurale për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, INTERPOL Tirana, në bashkëpunim me INTERPOL Shkupin, po vijon procedurat për ekstradimin e 52-vjeçarit drejt Maqedonisë së Veriut.