Zbulohet “shtëpia e barit” në Malësi të Madhe, arrestohet 35-vjeçari
Këtë të hënë policia shqiptare ka zbuluar tri ambiente të përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike në Malësinë e Madhe.
Sipas njoftimit nga policia, është vënë në pranga një person dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të cilët dyshohet se kishin përshtatur 3 ambiente në fshatin Boriç i Madh për të kultivuar bimë narkotike me pajisje elektrike, të cilat i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në kuadër të operacionit të koduar “Neonët”, janë ndaluar katër punonjës të OSHEE-së, si dhe është proceduar një punonjës tjetër, për shpërdorim detyre.
Njoftimi plotë i Policisë:
“Malësi e Madhe / Zbulohet një tjetër ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me llamba.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Neonët 8”. Shkon në 13 numri i rasteve të kësaj veprimtarie kriminale, të goditura në kuadër të operacionit “Neonët”.
Vihet në pranga një 35-vjeçar dhe shpallet në kërkim një 36-vjeçar, të cilët dyshohet se kishin përshtatur 3 ambiente në fshatin Boriç i Madh për të kultivuar bimë narkotike me pajisje elektrike, të cilat i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Ndalohen edhe 4 punonjës të OSHEE-së si dhe procedohet penalisht edhe 1 punonjës tjetër, për shpërdorim detyre.
Sekuestrohen 771 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 6 kg e 250 gr material bimorë e dyshuar kanabis, 195 llamba, 21 copë aspiratorë dhe 20 copë filtra ajri, që shërbenin për kultivimin e tyre.
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, strukturat e specializuara ne DVP Shkoder ne bashkepunim ne Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe të mbështetura nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjen dhe përpunimin e tyre për shitje.
Si rezultat, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 8”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. N., 35 vjeç, banues në fshatin Bratosh, dhe u shpall në kërkim shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në fshatin Vrakë.