Aksioni i Prokurorisë rreth dallavereve në lëshimin e lejeve të armëve, arrestohen dy zyrtarë të MPB-së
Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi se katër persona janë shoqëruar në stacion policor dhe po intervistohen nga prokurori i Shtetit nën dyshime për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe pranim të ryshfetit në sektorin privat.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala, tha për "Zërin", se dy nga të shoqëruarit janë persona zyrtarë që po dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Aksioni, sipas saj, është duke u zhvilluar në disa lokacione.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se me urdhrin e gjykatës kompetente në bazë të kërkesës me shkrim nga Prokurori i shtetit është zbatuar urdhër-kontroll në disa lokacione të ndryshme. Deri më tani ekziston dyshim i arsyeshëm se dy persona zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë kryer veprën penale” Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, si dhe dy persona të tjerë për veprën penale “Pranimi i ryshfetit ne sektorin publik”. Të dyshuarit do të intervistohen me kohë nga Prokurori kompetent i shtetit. Dhe po ashtu janë sekuestruar disa dokumentacione të cilat do të shërbejnë si provë për procedurën e mëtejshme hetimore. Aksioni është duke u zhvilluar për detaje të reja ju njoftojmë me kohë”, tha Shala.
Betimi për Drejtësi, medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë, tha se aksioni po zhvillohet lidhur me dallaveret në lëshimin e lejeve për armë.
Sipas këtij mediumi, dy zyrtarët e shoqëruar në stacion policor janë zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe dy të tjerë të një kompanie private.
MPB-ja është organ mbikëqyrës për procesin e lëshimit të lejeve për armë në Kosovë. Ligji për armë në Kosovë se kush dhe nën çfarë kushtesh mund të pajisjet me armë zjarri. Përveç personave fizikë, leje për armë ka edhe për kompani private.
Ligjet në Kosovë po ashtu parashohin dënim me burgim dhe gjoba për këdo që posedon armë pa leje.