Detaje nga aksioni në Veri kundër lojërave të fatit, intervistohen 3 të dyshuar, dy të tjerë po kërkohen nga Policia
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Veriun, Veton Elshani, ka dhënë detaje lidhur me aksionin e sotëm kundër lojërave të fatit në komunën e Zubin Potokut.
Elshani ka treguar se janë hasur në tri lokacione veprimtari të paligjshme, organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Për këtë, janë intervistuar tre persona të dyshuar, derisa dy të tjerë që s’janë hasur në vendngjarje janë të njohur për policinë e Kosovës.
“Me datën 15.01.2026 njësia e hetimeve te stacionit policore ZUBIN Potok ne DRP Mitrovice Veri nga rrugët operative ka pranuar një informatë se ne tri lokale ne qytetin e Zubin Potokut janë duke u zhvilluar veprimtari te kundërligjshme konkretisht organizimi i skenave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm.
Njësia e hetimeve e stacionit policore Zubin Potok, me asistimin e njësive relevante te DRP Mitrovice Veri kemi bere bastisjen ne te tri lokalet”, ka thënë Elshani për express.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i cili ka udhëzuar që të iniciohen tri raste.
“Ne te tri lokacionet janë hasur pajisje teknologjike te cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave te fatit si dhe janë te dyshuar 5 (pesë) persona ku 3 (tre) prej tyre janë duke u intervistuar kurse 2 (dy) të tjerë nuk janë hasur aty por janë te njohur për policin, ndërsa janë intervistuar edhe 5 dëshmitar. Është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka udhëzuar qe te inicioj tri raste “Organizimi i skenave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm” e sanksionuar me nenin 294 te KPRK-s”, ka përfunduar ai.