Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të arrestuarit me kërkesë të INTERPOL-it në Shqipëri
Foto: Laura Hasani

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të arrestuarit me kërkesë të INTERPOL-it në Shqipëri

Kronika January 13, 2026 - 15:16

Prokuroria Speciale e Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit E.Th., në kuadër të procedurave të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, kërkesa është bazuar në Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Masa e paraburgimit është kërkuar para pranimit formal të kërkesës për ekstradim.

E.Th. dyshohet se është i dënuar nga gjykata kompetente në Republikën e Shqipërisë për disa vepra të rënda penale, përfshirë:

Trafikimin e narkotikëve, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal;

Futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;

Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se veprimet procedurale do të vazhdojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare për bashkëpunim juridik, ndërsa gjykata pritet të vendosë lidhur me kërkesën për paraburgim. /Zëri