Rasti BKS, caktohet masa e sigurisë ndaj 39 të pandehurve në Prizren

Rasti BKS, caktohet masa e sigurisë ndaj 39 të pandehurve në Prizren

Kronika January 10, 2026 - 16:23

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masa sigurie ndaj 39 (tridhjetenëntë) të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka vendosur masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj katër (4) të pandehurve: S.M., V.B., F.S. dhe Y.Ç., masë e cila mund të zgjasë deri më 08 shkurt 2026.

Sipas vendimit të gjykatës:

S.M. dhe V.B. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale Keqpërdorimi i besimit në vazhdimësi dhe Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike.
V.B., së bashku me të pandehur të tjerë, dyshohet edhe për veprën penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.
F.S. dyshohet për Falsifikim dokumentesh dhe Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.
Y.Ç. dyshohet për Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.

Ndërkohë, ndaj 35 të pandehurve të tjerë, të cilët dyshohen për Keqpërdorim të besimit në ndihmë, gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor një herë në javë, si dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, përfshirë të dëmtuarën BKS dhe të pandehurit e tjerë. Këto masa vlejnë gjithashtu deri më 08 shkurt 2026.

Gjykata ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre masave do të rezultojë me caktimin e paraburgimit edhe për këta të pandehur.

Sipas vlerësimit të gjykatës, ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masave të sigurisë, pasi nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Caktimi i paraburgimit për katër të pandehurit është vlerësuar si i domosdoshëm për të parandaluar arratisjen, ndikimin në dëshmitarë apo pengimin e procedurës hetimore.

Gjykata Themelore në Prizren ka sqaruar se vendimi është marrë në përputhje me nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale, duke marrë parasysh edhe faktin se rasti konsiderohet çështje e ndërlikuar, pasi përfshin më shumë se 10 të pandehur, konkretisht 39.