Situatë e pazakontë para stacionit policor në Ferizaj, tre zyrtarë të lënduar lehtë
Foto: Laura Hasani

Situatë e pazakontë para stacionit policor në Ferizaj, tre zyrtarë të lënduar lehtë

Kronika January 09, 2026 - 22:24

Një person është arrestuar pasditen e së premtes për sulm ndaj zyrtarëve policorë në oborrin e Stacionit Policor në Ferizaj.

Sipas Policisë, rreth orës 15:40, një zyrtar policor i caktuar në detyrë në portën hyrëse të stacionit ka njoftuar se një veturë me targa të huaja ishte parkuar para portës hyrëse dhe se drejtuesi i saj nuk po i bindej urdhrave për t’u larguar.

Në vendngjarje kanë dalë edhe zyrtarë të tjerë policorë për asistencë, ndërsa i dyshuari, A.N., 35 vjeç, ka vazhduar të përdorë fjalë fyese dhe kërcënuese ndaj policisë, duke shfaqur sjellje agresive dhe mosbindëse.

Gjatë ndërhyrjes policore, i dyshuari u është vërsulur zyrtarëve policorë, me ç’rast ata janë detyruar të përdorin sprej mbrojtës dhe ta arrestojnë atë. Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë dhe i dyshuari kanë pësuar lëndime të lehta.

Në rast është përfshirë Njësia e Hetimeve Rajonale, e cila ka intervistuar të dyshuarin dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, ka iniciuar rastin për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.

Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë dhe zbatojnë urdhrat e ligjshme të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke theksuar se bashkëpunimi me policinë kontribuon drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. /telegrafi