Kryeprokurori Kryeziu: Keqpërdorimi nga Mazreku dhe Berisha i shkaktuan dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë eurosh
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka treguar se dëmi i shkaktuar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) nga ish-drejtori ekzekutiv Sami Mazreku dhe ish drejtori i Financave i BKS-së ka tejkaluar vlerën e 1 milion eurove.
Në një konferencë për media pas aksionit, ku cak ishin 47 persona, Kryeziu ka treguar se Sami Mazreku e Valon Berisha kanë keqpërdorur autorizimet që u janë besuar nga BKS-ja, duke ua mundësuar personave të ndryshëm dhe përmes tyre edhe vetvetes transaksionet.
“Rast ku ne sot kemi marrë urdhëresat e gjykatës për bastisjen e shtëpive dhe lokacioneve të 47 personave, mes tyre edhe një person juridik. Mund të konfirmojmë që këtij aksioni i ka paraprirë edhe aplikimi i masave të veçanta hetimore. Fjala është për keqpërdorimet që janë bërë në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Cak i hetimeve është ish-drejtori ekzekutiv dhe ish-drejtori i financave të BKS-së, të cilët, duke keqpërdorur autorizimet që iu janë besuar nga BKS, iu kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetvetes që të realizojnë transaksione, ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së. Po ashtu, kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë kemi vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tregoi Kryeziu.
Deri më tani kanë siguruar 166 transaksione.
“Deri në këtë fazë ne kemi arritur që të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta. Në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona, me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore, kinse si përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023 përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar në 2016 dhe 2017. Po ashtu kanë aplikuar edhe 141 transaksione të tjera të personave të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm dhe kanë bartur shuma të ndryshme, shuma më e vogël ka qenë gjashtë mijë e 800 euro ndërsa më e larta 68 mijë euro. Aksionin e sotëm kemi pasur target 46 persona fizik dhe ka përfunduar me 39 persona të arrestuar që ka lëshuar prokuroria ndalim. Aksioni i sotëm që ka përfshirë gjithë territorin e Kosovës, nga Prishtina në Prizren, Mitrovicë, në Pejë, në Klinë, Rahovec, Obiliqi, Gjilan, Ferizaj e Dragash. nuk ka pasur regjion që nuk ka pasur bastisje kontroll dhe arrestime në lidhje më këto keqpërdorime”, tha ai.
Në këtë aksion janë sekuestruar 23 mijë e 700 euro para kesh, aksesorë të ndryshme, armë, pajisje elektronike, ndërsa janë bllokuar 1 milion e 300 mijë e 886 mijë euro.
“Sa i përket sekuestrimeve kemi sekuestruar të holla kesh 23 mijë e 700 euro, aksesorë orë të ndryshme armë, pajisje elektronike, gjithashtu kemi pasur bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Financiare të bllokojmë të hollat në vlerë 1 milion e 300 mijë 886 euro , kjo është bilanci kemi qenë në terren tetë prokuror kemi pasur rreth 400 zyrtarë policore”, tregoi ai.