Policia jep detaje të reja për rastin e gruas që ra nga ura e re mbi lumin Ibër
Foto: Laura Hasani

Policia jep detaje të reja për rastin e gruas që ra nga ura e re mbi lumin Ibër

Kronika January 02, 2026 - 10:00

Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës, një qytetare është shpëtuar mbrëmë nga mbytja në lumin Ibër.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:00 Policia në Mitrovicë ka pranuar informacion se një person i gjinisë femërore kishte rënë në lumin Ibër, në afërsi të urës së re në rrugën “Lah Nimani”, dhe ndodhej në rrezik për jetën.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në shtratin e lumit kanë gjetur qytetaren në gjendje të rënduar shëndetësore. Policia ka arritur ta nxjerrë atë nga uji, duke evituar rrezikun e mëtejmë.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku, sipas mjekëve, gjendja e saj shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Sipas deklaratës së saj, ajo kishte rrëshqitur aksidentalisht dhe kishte përfunduar në lumin Ibër.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.