Incidenti në Zhegër, policia dhe prokurori në vendin e ngjarjes

Incidenti në Zhegër, policia dhe prokurori në vendin e ngjarjes

Kronika December 28, 2025 - 12:53

Një përplasje verbale mes një mërgimtari dhe komisionerëve ka ndodhur në qendrën e votimit “Agim Ramadani” në Zhegër.

Menaxheri i kësaj qendre bëri të ditur se i njëjti ka hyrë në vendvotim, duke tentuar të asistojë për nënën e tij të moshuar, duke mos pasur dokumentin e nevojshëm, i cili lejon asistimit.

Sipas menaxherit, pasi kjo nuk i është lejuar, ai ka kërkuar që të votojë për nënën e tij, gjë e cila po ashtu nuk i është lejuar dhe ai duke e ngritur zërin e ka përsëritur kërkesën, duke e bllokuar derën e hyrjes.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar policia, të cilët e kanë larguar mërgimtarin nga vendvotimi.

Rreth rastit detaje ka dhënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit.

“Realisht ka qenë një fjalosje mes një personit dhe zyrtarëve të qendrës. Nuk ka pasur përleshje. Prokurori dhe njësitet relevante janë në vendin e ngjarjes”, deklaroi Hashani për Klankosova.

Ai theksoi se për detaje të tjera do të bëhen të ditura më pas.