Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për tentimvrasje dhe rrëmbim të Vukashinoviqit
Foto: Laura Hasani

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për tentimvrasje dhe rrëmbim të Vukashinoviqit

Kronika December 22, 2025 - 20:33

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Vidosav Mitroviq, i dyshuar për ndihmë në tentimvrasjen dhe rrëmbimin e Milan Vukashinoviqit.

Sipas njoftimit zyrtar, Mitroviq do të mbahet në paraburgim për një muaj, nga data 20.12.2025 deri më 19.01.2026.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.M., i cili dyshohet se ka kryer këto vepra penale: Vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.10, lidhur me nenin 28 dhe nenin 33 dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.Të pandehurit V.M. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet nga data 20.12.2025 deri më datë 19.01.2026”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankesës brenda 48 orësh nga pranimi i aktvendimit, e cila i drejtohet Gjykatës së Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë.