Aksioni i djeshëm në qendra për shërbime estetike ilegale me botoks, Policia jep detaje
Gjatë së mërkurës Prokuroria Themelore e Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kryer një aksion në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks, shkruan Zeri.info.
Policia e Kosovës, përmes raportit ditor, ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast janë intervistuar njëmbëdhjetë persona në prani të avokatëve mbrojtës, kurse katër personave të tjerë u është lënë ftesa për paraqitje në organet e hetuesisë.
“Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me persona të dyshuar nën dyshimin për kryerje të aktiviteteve që ndërlidhen me veprimtarinë e ‘Ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore farmaceutike’’. Lidhur me rastin janë realizuar urdhëresa për kontroll në disa lokacione, ku gjatë kontrollit është sekuestruar sasi e konsiderueshme e produkteve medicinale, regjistra të ndryshëm të klientëve dhe shërbimeve të ofruara dhe pajisje elektronike si laptop, shtëpiza kompjuterike dhe DVR të kamerave”, bën të ditur Policia në raportin ditor.
Po ashtu, sipas Policisë, me vendim te prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar /ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore farmaceutike
Prishtinë / 17.12.2025 – 10:30. Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me persona të dyshuar nën dyshimin për kryerje të aktiviteteve që ndërlidhen me veprimtarinë e “Ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore farmaceutike’’.
Lidhur me rastin janë realizuar urdhëresa për kontroll në disa lokacione ku gjatë kontrollit është sekuestruar sasi e konsiderueshme e produkteve medicinale, regjistra të ndryshëm të klientëve, dhe shërbimeve të ofruara dhe pajisje elektronike si laptop, shtëpiza kompjuterike dhe DVR të kamerave.
Në cilësi të personave të dyshuar janë intervistuar njëmbëdhjetë (11) persona në prani të avokatëve mbrojtës, kurse katër (4) personave të tjerë u është lënë ftesa për paraqitje në organet e hetuesisë.
Me vendim te prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. /Zëri