Goditet grupi i prodhimit të marihuanës në Spanjë, arrestohen 9 shqiptarë

Goditet grupi i prodhimit të marihuanës në Spanjë, arrestohen 9 shqiptarë

Kronika December 13, 2025 - 16:58

La Guardia Civil ka goditur një organizatë kriminale shqiptare e specializuar në kultivimin e marihuanës në ambientet e brendshme në provincën e Zaragoza-s.

Operacioni përfundoi me arrestimin e nëntë shqiptarëve ndërsa më 2 dhjetor, u kryen tetë kontrolle në magazina industriale dhe banesa në Cuarte de Huerva, San Mateo de Gállego, La Puebla de Alfindén, Zuera, si dhe në qytetin e Zaragosës dhe lagjen Garrapinillos ku u gjetën mbi 2,000 bimë marihuanë dhe mbi 20 kg kanabis gati për shpërndarje.

Shqiptarët e arrestuar janë të moshave nga 21 deri në 46 vjeç, dhe akuzohen për krime kundër shëndetit publik, vjedhje të energjisë elektrike, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe falsifikim dokumentesh ndërsa u paraqitën para gjykatës më 4 dhjetor.

Sipas autoriteteve, grupi operonte në magazina industriale dhe banesa të shpërndara në disa komuna përreth Zaragoza-s, duke vjedhur energjinë elektrike, ndërsa dëmi për këtë llogaritet në vlerën 210,000 euro e barabartë me konsumin vjetor të më shumë se 250 shtëpive.

Operacioni, i koduar “RIOG”, u zhvillua nga Guardia Civil e Zaragoza-s dhe zbuloi një strukturë të organizuar që prodhonte marihuanë në shkallë të madhe, me plantacione të teknologjisë së lartë dhe masa të forta sigurie për të mos u zbuluar.

Hetimi nisi në shtator 2024 nga Ekipi i Policisë Gjyqësore i Casetas, pas dyshimeve për disa magazina të përdorura për kultivimin e marihuanës. Pasi disa nga drejtuesit e rrjetit u kthyen përkohësisht në Shqipëri, aktiviteti u pezullua, por në fund të verës së këtij viti ata u rikthyen dhe rihapën aktivitetin.

Magazinat ishin të pajisura për kultivim me ndarje të veçanta për fazat e rritjes dhe furnizoheshin me energji elektrike të vjedhur nga rrjeti publik.

Hetimi zbuloi një rrjet të hierarkizuar: drejtuesi kryesor nga Zaragoza mbikëqyrte logjistikën dhe financat, ndërsa bashkëpunëtorët e tij transportonin materialet dhe kujdeseshin për plantacionet, shpesh duke qëndruar brenda magazinave.

Për të shmangur dyshimet, rrjeti përdorte persona të tjerë për të marrë me qira magazinat dhe automjetet, duke krijuar pamjen e bizneseve të ligjshme.

Në operacion morën pjesë Ekipi i Policisë Gjyqësore i Casetas, Ekipi i Krimit të Organizuar dhe Antidrogës i Zaragosës, njësitë e Sigurisë Qytetare (USECIC) të Zaragoza-s, Huesca-s dhe Teruel-it, si dhe grupi cinologjik me qen të specializuar në zbulimin e drogës./EuronewsAlbania/