“Mbajti dietë”, si u ngjit në murin 6 metra të lartë dhe u arratis nga dritarja e qelisë Taulant Toma?

“Mbajti dietë”, si u ngjit në murin 6 metra të lartë dhe u arratis nga dritarja e qelisë Taulant Toma?

Kronika December 11, 2025 - 11:30

Në Francë, vendet fqinje si Belgjika, dhe sigurisht në Itali, Mal të Zi, madje edhe në Shqipëri, ku ai lindi 41 vjet më parë, kërkimet për Taulant Tomën janë duke vazhduar.

Arratisja e tij nga burgu i Operas u zbulua nga oficerët një orë e gjysmë pasi shqiptari ishte larguar.

Ishte ora 08:00 e së dielës (7 Dhjetor) dhe dritarja e qelisë së tij kishte një shufër të prerë me sharrë, duke lënë një hapësirë ëdrejtkëndëshe me përmasa 30 me 40 centimetra: shumë e vogël që të futej i burgosuri tjetër, por e mjaftueshme që Taulanti, i cili ishte dobësuar posaçërisht për këtë qëllim, të dilte nga qelia, dhe më pas përdorur një “litar” të bërë me çarçafë të zbriste poshtë.

Ai e kapërceu pengesën e fundit, murin rrethues 6 metra të lartë, me një shfaqje cirku: Taulant Toma sajoi një shkop duke lidhur bishtat e fshesave me shirit ngjitës dhe duke bashkangjitur një grep hekuri, një pajisje mjaftueshëm e fortë për ta mbajtur ndërsa ngjitej.

Arratisja e tij e parë ndodhi në vitin 2009, kur u largua nga burgu i Ternit. I njëjti skenar mbizotëroi: hekura të prerë dhe çarçafë të përdorur si litarë. Shqiptari gjithmonë arrinte t’i pasonte këto arratisje me periudha të gjata fshehjeje.

Kjo zgjati dy muaj, derisa u kap në Casarile, në brendësi të Milanos, dhe u dërgua në burgun e Parmës, një nga mjediset e konsideruara më të sigurta në Itali, ku strehoheshin, për shembull, disa mafiozë të ndaluar nën regjimin e 41 bis.

Një sfidë e re që Taulanti e ndërmori dhe ia doli mbanë katër vjet më vonë. Në shkurt të vitit 2013, arriti të arratisej edhe nga këtu.

Bashkëpunëtori i tij në këtë arratisje u vra pak kohë më vonë, nga një argjendar që po përpiqej ta grabiste. Ai mbeti i lirë deri në shtator.

Autoritetet policore italiane zbuluan se ai ishte arrestuar në Liège të Belgjikës dhe ishte dërguar në burgun Lantin, pak jashtë qytetit. Ndërsa procedurat e ekstradimit zvarriteshin, Taulant Toma nuk humbi kohë. Ishte atëherë që mbështetja e botës kriminale shqiptare u bë më e dukshme. Një fishekzjarr i madh u ndez në oborrin e burgut për të krijuar rrëmujë.

Pastaj, një grup të burgosurish formuan një piramidë në të cilën Taulanti u ngjit. Përtej murit, persona të armatosur e pritën dhe u larguan nga vendngjarja.

Në rastin e fundit, stafi i reduktuar për shkak të festave luajti rol, si dhe fakti më i përgjithshëm se Opera ka “1,338 të burgosur, të kontrolluara nga vetëm 533 oficerë, kur në të vërtetë duhet të ketë të paktën 811”.