Arrestohet personi që dyshohet se vrau biznesmenin në Elbasan
Policia ka vënë në pranga një tjetër person të dyshuar për përfshirje në ekzekutimin e biznesmenit në Elbasan, ngjarje që tronditi qytetin pak ditë më parë.
Arrestimi është kryer në Përrenjas, ku u kap 33-vjeçari Nevzat Spaho, person me precedentë penalë, i cili, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë i viktimës.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se lokalizimi dhe kapja e Spahos është rezultat i disa orëve ndjekjeje dhe verifikimesh nga strukturat e Policisë së Shtetit, që po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Arrestimi i tij pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivin e vrasjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në ekzekutim. /euronews