Arrestohet 19-vjeçari në Prishtinë, i dyshuari për tentim grabitjeje me armë
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për tentim grabitjeje, të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Prishtinë.
Sipas njoftimit zyrtar, ai dyshohet se ka tentuar të kryejë grabitje nën kërcënimin e një arme zjarri.
“Reagimi i shpejtë i zyrtarëve policorë të stacionit ‘Veriu’ në Prishtinë, i kombinuar me punën hetimore dhe operative të Sektorit të Hetimeve të Kryeqytetit, ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit me inicialet B.M. mashkull, 19 vjeç. Pas arrestimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedura për veprat penale ‘Grabitje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, në pritje të veprimeve të mëtejshme ligjore.
“Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike dhe ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme ndaj çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë në vend”. /Zëri