Prangoset gjilanasi, dyshohet për mashtrim në prokurim publik
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Mashtrim në prokurimin publik”, pas përfundimit të një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas njoftimit të PK-së thuhet se hetimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe kanë rezultuar në sigurimin e provave relevante që lidhen me një aktivitet të prokurimit publik në këtë rajon, raporton Zeri.info.
Policia njofton se dyshohet që një operator ekonomik ka paraqitur dokumentacion të paplotë, të pasaktë ose të pavërtetë, në kundërshtim me kërkesat ligjore të prokurimit publik, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
“Bazuar në veprimet hetimore është krijuar dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim në prokurimin publik’,” thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij ligjor, ndërsa prokurori kompetent ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore, duke theksuar përkushtimin për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit. /Zëri