Vidhet kasaforta me para në xhaminë e Obiliqit
Një xhami në Obiliq ka qenë cak i hajnave mbrëmë.
Një person dyshohet se ka hyrë me forcë në “Xhaminë e Hashanëve” në Obiliq, duke thyer dritaren dhe ka marrë paratë e bamirësisë që ishin në kasafortë, transmeton Zeri.info.
Xhamia ka dhen njoftimin:
ë dashur vëllezër dhe motra,
Me zemër të rënduar ju njoftojmë se gjatë natës së sotme xhamia jonë është përballur me një akt të dhunshëm e të dhimbshëm.
Një person i panjohur ka hyrë me forcë në shtëpinë e Allahut, duke thyer xhamin dhe duke dëmtuar kasafortën ku ruheshin të hollat e dhuruara me sinqeritet nga xhemati ynë.
Ky është jo vetëm një dëm material, por edhe një plagë shpirtërore për të gjithë ne që e duam dhe e mbështesim këtë vend të shenjtë. Ndjehemi të pikëlluar që një akt i tillë ka ndodhur në një vend ku mbizotëron paqja, lutja dhe mëshira.
Rasti i është raportuar menjëherë policisë dhe shpresojmë që përgjegjësi të identifikohet sa më shpejt. Ju lusim që kushdo që mund të ketë parë apo dëgjuar diçka të na njoftojë.
I lutemi që Allahu ta ruajë xhaminë tonë dhe zemrat tona nga çdo e keqe.
Allahu ju shpërbleftë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj!