Beteja me flakët në Ferizaj, zjarrfikësit po punojnë për lokalizimin e zjarrit
Ekipe të shumta të zjarrfikësve të Ferizajt, si dhe të komunave tjera, janë duke punuar intensivisht për lokalizimin e zjarrit në një kompani të qytetit, në mënyrë që ai të mos përhapet në objektet përreth.
Këto detaje për Klankosova i bëri të ditura zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Kanun Veseli, i cili shtoi se nuk raportohet për persona të lënduar.
Zjarri në këtë objekt nisi qysh në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, derisa dëmet dyshohet të jenë të konsiderueshme.
“Sot, më datë 20.11.2025, rreth orës 09:15, policia ka pranuar një informatë për një incident zjarri që ka përfshirë një kompani – depo të materialeve, e cila ndodhet në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në afërsi të udhëkryqit me rrugën “Driton Islami” në Ferizaj. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, si dhe njësitë policore të stacionit dhe hetimeve. Nuk raportohet për persona të lënduar”.
Ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri, dhe pritet të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve.
“Dëmet materiale dyshohet të jenë të konsiderueshme, ndërsa shkaqet e zjarrit për momentin mbesin të panjohura dhe do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve. Policia ka siguruar perimetrin e zonës së incidentit me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe stafit operues. Vazhdim i reagimit në terren”, tha Veseli.
“Ekipe të shumta të zjarrfikësve të Ferizajt, si dhe të komunave tjera që kanë ardhur në asistim, janë duke punuar intensivisht për lokalizimin e zjarrit, në mënyrë që ai të mos përhapet në objektet përreth. Ndërkohë, në vendngjarje ndodhen edhe njësi të shumta policore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po sigurojnë zonën e incidentit”.