Dështon seanca fillestare për kanosjen e kryetarit të AGK-së, mungojnë dy të akuzuarit
Foto: Laura Hasani

Dështon seanca fillestare për kanosjen e kryetarit të AGK-së, mungojnë dy të akuzuarit

Kronika November 19, 2025 - 15:41

Në mungesë të të akuzuarve Fitim Selmani dhe Blerim Haradinaj, ka dështuar të mbahet seanca fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të njëjtët akuzohen për kanosjen e kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha.

Gjykatësja e rastit, Valbonë Përlaska, tha se Gjykata do të lëshojë urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim të ftesës për dy të akuzuarit.

Për Selmanin, sipas fletëkthesës, është konstatuar se gjendet jashtë vendit, ndërkaq për Haradinajn u konstatua ftesa nuk i është dorëzuar personalisht.

Prezent në seancë ishin: prokurorja e shtetit Rukije Sheshivari dhe i dëmtuari Rexha me avokatin e tij, Yll Zekaj.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 tetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Selmanit dhe Blerim Haradinajt, të cilët akuzohen se përmes komenteve në rrjetin social Facebook, gjatë periudhës kohore maj-qershor 2025, kanë kanosur gazetarin dhe kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha,

Sipas aktakuzës, në pikën e parë akuzohet Fitim Selmani. Aty thuhet se më 4 korrik 2025, i dëmtuari Xhemajl Rexha - gazetar dhe kryetar i AGK-së, ka lajmëruar në Polici se pas deklarimeve të tij publike lidhur me lirinë e mediave në Kosovë, në periudhën kohore maj- qershor 2025, në një publikim në “Gazeta Alfa” në rrjetin social Facebook, kishte pranuar komente kërcënuese me thirrje për vrasje.

“Qeta njerëz me pas kush mi vra ish ish qliru Kosova, ky eshte kurd qe ka msu shqipen kqyrja likuren zez si derrit magjup i kurdistanit”, kështu sipas aktakuzës ishte shprehur i pandehuri Fitim Selmani nga profili i tij, në komente në rrjetin social në Facebook, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Rexha.

Me këtë, Selmani akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga Neni 181, par. 2 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Blerim Haradinaj akuzohet se në të njëjtën periudhë kohore ka kanosur të dëmtuarin Rexha përmes profilit të tij në Facebook, ku i kishte shkruar koment me fjalët “duhet me i var në litar kta tardhtar të Serbisë”.

Fjalët kërcënuese, Haradinaj, sipas aktakuzës i bëri kur i dëmtuari Rexha kishte dhënë një intervistë online në rrjetin social Facebook, kështu me këto komente i ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.

Me këtë, Haradinaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga Neni 181, par. 2 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se të dy të pandehurit kanë treguar se janë mërgimtarë. Njëri jeton në Suedi e tjetri në Zvicër. /BetimipërDrejtësi