Aksident tragjik në Itali, vdesin dy të rinj shqiptarë
Një aksident i rëndë automobilistik në orët e para të mëngjesit të së dielës në unazën jugore të Bergamos, i ka marrë jetën dy të rinjve shqiptarë. Aksidenti fatal u regjistrua në rrugën “Val Brembana”, pranë zonës së Stezzano-s. Nga përplasja e fortë mes një automjeti tip Mercedes dhe një furgoni Citroen Berlingo, humbën jetën tre persona, mes tyre dhe dy të rinjtë shqiptarë.
Viktimat janë identifikuar si Klinton Sala (23 vjeç) me banim në Melzo të Milanos, i cili drejtonte Mercedes-in që dyshohet se shkaktoi aksidentin, dhe Denis Cana (21 vjeç) nga Lodi. Të dy ishin miq dhe udhëtonin së bashku në të njëjtin automjet.
Viktima e tretë është Oscar Angioletti (62 vjeç) me origjinë nga Bergamo, i cili ndodhej në furgonin “Citroen Berlingo” bashkë me vëllain e tij 64-vjeçar. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua menjëherë në spital.
Sipas të dhënave paraprake të hetimeve të karabinierëve, Mercedes-i ka tentuar të parakalojë një mjet tjetër, duke kaluar në korsinë e kundërt dhe duke u përplasur kokë më kokë me furgonin.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia rrugore, ndërsa segmenti i rrugës ku ndodhi përplasja u mbyll për disa orë për shkak të hetimeve dhe pastrimit të mbetjeve të aksidentit. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi rrethanat e plota të ngjarjes tragjike, raporton A2 Cnn.