Detaje të reja nga vrasja makabre në Greqi, viktima dyshohet të jetë shqiptar

Detaje të reja nga vrasja makabre në Greqi, viktima dyshohet të jetë shqiptar

Kronika November 08, 2025 - 22:12

Detaje të reja dhe tronditëse janë publikuar në lidhje me krimin e rëndë që ndodhi në Skourta, Beoti, ku një burrë shqiptar, u gjet i karbonizuar brenda një automjeti të djegur. Një prej detajeve që thellon misterin është se viktima u gjet i lidhur pas shpine me pranga.

Hetuesit e Policisë Helenike po përqendrohen në 14 raste zhdukjeje të raportuara së fundmi në Atikë, ndërsa vëmendja kryesore i është kushtuar zhdukjes misterioze të një ndërtuesi shqiptar, shkruan RTSH, transmeton Klankosova.tv.

Dyshimet për identitetin dhe zhdukja e ndërtuesit shqiptar

Sipas medias greke Zougla, burri shqiptar ishte zhdukur rreth katër ditë më parë. Ai jetonte në Evia dhe në ditën e zhdukjes po udhëtonte drejt Vilias. Automjeti i tij është gjetur i braktisur nga policia dhe është nën shqyrtim.

Një anëtar i familjes së tij pritet t’u japë autoriteteve ADN-në, me qëllim përcaktimin nëse trupi i karbonizuar i gjetur në Skourta i përket atij. Familjarët e tij kanë deklaruar se ai nuk kishte pasur mosmarrëveshje me askënd dhe se nuk kishte precedentë me autoritetet në të kaluarën.

Detajet e aktit kriminal

Krimi brutal, i cilësuar si një “veprim i planifikuar mirë”, dyshohet se ka ndodhur dy ditë më parë, por u zbulua vetëm të premten në mbrëmje (7/11) kur një bari mbërriti në vendngjarje.

Viktima u gjet i djegur për vdekje dhe i prangosur pas shpine.

Makina rezultoi të jetë vjedhur majin e kaluar nga zona e Glyfadës dhe kishte targa të falsifikuara, identike me ato të një automjeti nga Katerini.

Zëdhënësja e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, deklaroi se automjeti është transferuar në laboratorët mjeko-ligjorë për analiza të ADN-së dhe gjurmëve të gishtërinjve, duke theksuar se identifikimi i trupit është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të djegies së gjerë.

Pistat e hetimit

Hetimi, i drejtuar nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, nuk përjashton asnjë pistë. Për shkak të natyrës së dhunshme dhe planifikimit të krimit, autoritetet po hetojnë:

-Hakmarrjen e ashpër;

-Lidhjet me një rrjet kriminal të mirëorganizuar, dhe

-Trafikimin e mundshëm të produkteve të paligjshme.

Hetimet vijojnë me mbledhjen e provave dhe kërkimin për bashkëpunëtorë të mundshëm që mund të kenë përdorur automjetin si mjet veprimi.