Vdekja e studentes kosovare në Tetovë, reagon Ambasada e Kosovës në Maqedoni të Veriut
Një rast tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Tetovë, ku një vajzë 25-vjeçare nga Kosova ka humbur jetën.
Lajmin e ka konfirmuar Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, e cila ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase lidhur me këtë rast.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është njoftuar para pak orësh nga Policia Rajonale e Tetovës se sot, rreth orës 18:00, në një lagje të këtij qyteti është gjetur pa shenja jete një shtetase e Republikës së Kosovës. Ambasada ka vendosur menjëherë kontakt me autoritetet relevante policore dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e rastit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Sipas raportimeve të mediave lokale, trupi i pajetë i 25-vjeçares – e cila dyshohet të ketë qenë studente në Tetovë – është gjetur nga kalimtarë të rastit pas tregut të gjelbër të qytetit, rreth orës 19:00.
Siç mëson Telegrafi, dyshohet se ajo ka bërë vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes ndodhen njësitet policore dhe Prokurori Publik, të cilët po kryejnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.