Themelorja e dënoi me 21 vjet burgim, kthehet në rigjykim rasti ndaj Tush Frokajt i akuzuar për vrasjen e dhëndrit
Foto: Laura Hasani

Themelorja e dënoi me 21 vjet burgim, kthehet në rigjykim rasti ndaj Tush Frokajt i akuzuar për vrasjen e dhëndrit

Kronika November 05, 2025 - 19:04

Gjykata e Apelit ka marrë vendim përmes të cilit ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe mbrojtësve të akuzuarit Frokaj, avokatëve Ndrec Dodaj dhe Agron Galani, duke anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Frokaj ishte dënuar me 21 vjet burgim.

Lidhur me akuzën e Prokurorisë se më 7 gusht 2023, Tush Frokaj e ka vrarë dhëndrin e tij, A.P., në Klinë si dhe ka vënë në rrezik jetën e personave të tjerë, Gjykata Themelore në Pejë, më 30 prill 2025, e kishte dënuar të akuzuarin Frokaj me dënim unik me 21 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër vendimit të Themelores, brenda afatit ligjor ka parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Pejë, duke kërkuar që Frokaj të shpallet fajtor për vrasje të rëndë dhe dy veprat tjera penale, duke kërkuar po ashtu edhe ashpërsim të dënimit, ose që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë anulohet dhe çështja penale t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje.

Kurse, avokatët Doda dhe Galani gjithashtu kanë parashtruar ankesë, duke i propozuar Gjykatës së Apelit që për shkak të shkeljeve esenciale rasti të kthehet në rigjykim.

Po ashtu, ankesë kanë paraqitur edhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuara, avokatët Hamdi Ibrahimi dhe Nasuf Hasani, duke propozuar që Frokajt t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë, dhe ajo e përfaqësuesve të palëve të dëmtuara, dhe që Frokajt t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

“Betimi për Drejtësi” me 9 tetor 2025 kishte monitoruar seancën e Apelit, në të cilën ishin elaboruar ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë.

Vlerësimi i Gjykatës së Apelit:

Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores duhet të anulohet sepse përfshihet me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera.

Frokaj ka qenë i akuzuar për tri vepra penale dhe atë: “Vrasje e rëndë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shtrëngim”, ndërkaq Themelorja e ka  gjetur fajtor për veprat penale “Vrasje”, “Armëmmbajtje pa leje” dhe “Shtrëngim”, pra duke e ricilësuar veprën e “Vrasjes së rëndë” në “Vrasje”. Andaj, sipas shkallës së dytë, në rastin konkret kemi të bëjmë me veprën penale “Vrasje e rëndë”- e cila rezulton nga përshkrimi i dispozitivit të aktgjykimit.

“Gjithashtu kolegji vlerëson se në këtë çështje penale kemi të bëjmë me veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila rezulton nga përshkrimi i dispozitivit të aktgjykimit…”, thuhet në vendimin e përpiluar më 30 tetor 2025.

Pra, kolegji i kësaj Gjykate vlerëson se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat, sikurse ato personale po ashtu edhe ato materiale, por ka vlerësuar se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale “Vrasje e rëndë” por të “Vrasjes”.

Gjithnjë sipas Apelit, në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar se ditën kritike ka pasur në tavolinë ulur persona të tjerë, të cilët kanë mundur që të rrezikohen, ashtu që gjykata e shkallës së parë është dashur të vërtetojë këtë rrethanë për të vërtetuar elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarit, e jo të bëhet rikualifikimi i veprës “Vrasje e rëndë”.

Apeli ka theksuar se Themelorja do duhej të merrte parasysh deklaratën e të dëmtuarit L.B., i cili ka deklaruar se ka dëgjuar të shtëna dhe ka vërejtur që diçka nxehtë i ka kaluar nga krahu i majtë. Po ashtu, edhe deklaratat e të dëmtuarve tjerë.

Rekomandimet:

Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë pas pranimit të këtij vendimi, duhet që të ricaktojë shqyrtimin gjyqësor, të veprojë sipas vërejtjeve që në këtë çështje penale jepen pasi që ka mbajtur seancën e kolegjit, të procedojë me të gjitha provat të cilat janë si pjesë përbërëse e çështjes penale.

Po ashtu, të vërtetojë afërsinë e tani të ndjerit me persona të tjerë, duke filluar nga tavolina dhe tutje, pasi që vepra penale sikurse theksohet është kryer afër sheshit “Nënë Tereza”, në Klinë, andaj, vërtetimi i elementeve të veprës penale për të cilën ka qenë i pandehuri i akuzuar, është shumë me rëndësi.

Gjithashtu, sipas Apelit, duke vlerësuar veprimet e ndërmarra, gjykata e shkallës së parë duhet të dalë në vendin e ngjarjes, të bëjë rikonstruimin, me qëllim që të vërtetojë se sa persona kanë qenë në kohën kur është kryer vepra penale, cila ka qenë afërsia e tyre, çfarë lloj arme është përdorur në kryerjen e veprës penale, e atëherë të vendos për çështjen penale.

Po ashtu, Themelorja duhet të përkujdeset që të zbatojë në përpikëri dispozita ligjore, ngase respektimi i tyre është me rëndësi, e sidomos kur të merret parasysh vepra penale e cila është kryer ditën kritike, të përkujdeset që aktgjykimi mos të ketë shkelje esenciale, që gjendja faktike të vërtetohet në mënyrë të drejtë dhe të plotë, që mos të ketë shkelje të Ligjit Penal, e më pastaj t’i shqiptohet dënim përkatës ligjor.

Kolegji i gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit që ka marrë vendimin për këtë rast, ka këtë përbërje: Kadrije Goga Lubishtani- kryetare e kolegjit, Hashim Çollaku dhe Xhevdet Abazi- anëtarë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 mars 2024 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Tush Frokaj, akuzohej se më 7 gusht 2023, ka privuar nga jeta dhëndrin e tij, A.P., si dhe vuri në rrezik jetën e personave të tjerë dhe atë të dëmtuarit F.Rr. Frokaj ngarkohej se ka shtënë shtatë herë me revole në drejtim të A.P., duke e lënë në vend të vdekur.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Frokaj ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, pasi i janë gjetur një revole me dhjetë fishekë, një brez të pajisjeve të armës me pranga, këllëf të pistoletës, një shufër metalike, trembëdhjetë fishekë të tjerë, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, pajisje për pastrim të armës, dhe një thikë.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, pas kryerjes së veprës penale, i akuzuari Frokaj në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë”, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar, ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur. Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”, nga neni 192, par.2, nënpar.2.1 dhe 2.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Në aktakuzë, gjithashtu thuhet se pas ndalimit të veturës nga i dëmtuari e më të larguar nga vetura, Frokaj e merr veturën dhe arratiset e ku më pas atë veturë e lë tek shtëpia e tij, e që me këtë veprim ai akuzohet edhe për veprën penale “Marrja në posedim të pasurisë së luajtshme” nga neni 319, par.1 i KPRK-së.

Në aktakuzë, prokurori Ersan Qavolli, ka kërkuar që në rastin e shpalljes fajtor të të pandehurit, si rrethana rënduese me rastin e përcaktimit të dënimit të merren për bazë mënyra e kryerjes së veprës penale, e kaluara kriminale e të pandehurit, lidhja familjare e të pandehurit me viktimën dhe se tani i ndjeri i kishte ndihmuar disa herë të pandehurit.

I akuzuari Frokaj, ishte i dënuar edhe me dy aktgjykime të formës së prerë, e që sipas aktakuzës, kjo ishte vërtetuar faktin se tek i pandehuri asnjëherë nuk ishte arritur njëri ndër qëllimet e dënimit që është në risocializimin e tij.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 16 gusht 2023 për dosjen e Prokurorisë ndaj Frokajt lidhur me rastin për të cilin po akuzohet. /BetimipërDrejtësi