Dogana ndalon mallra të padeklaruara në Vërmicë
Foto: Dogana e Kosovës

Dogana ndalon mallra të padeklaruara në Vërmicë

Kronika November 05, 2025 - 17:48

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve të zhvilluara në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë janë ndaluar dy raste të tentativave për kalim të mallrave pa deklarim doganor.

Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë kanë ndaluar dy automjete, drejtuesit e të cilëve kishin deklaruar se nuk posedonin mallra për deklarim, por gjatë kontrollit janë zbuluar sasi të konsiderueshme të mallrave të padeklaruara, me vlerë totale rreth 8,000 euro.

Në mesin e mallrave të ndaluara përfshiheshin veshmbathje dhe tekstile, produkte kozmetike e farmaceutike, vegla pune elektrike, pajisje elektronike dhe aksesorë për automjete, si dhe artikuj të tjerë të ndryshëm.

Dogana ka bërë të ditur se mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe se ndaj personave të përfshirë janë iniciuar procedurat për kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallit, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.

“Dogana e Kosovës do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme, me qëllim mbrojtjen e tregut dhe ekonomisë vendore,” thuhet në komunikatë, ndërsa qytetarët kujtohen se deklarimi korrekt i mallrave në kufi është detyrim ligjor dhe mosdeklarimi përbën shkelje të ligjit.