Një muaj paraburgim për policin serb që u kap duke transportuar fishekë e para të gatshme
Foto: Laura Hasani

Një muaj paraburgim për policin serb që u kap duke transportuar fishekë e para të gatshme

Kronika November 03, 2025 - 21:49

Gjykata e Mitrovicës i ka shqiptuar masë, një muaj paraburgim pjesëtarit të Policisë së Serbisë, i cili u arrestua në Jarinjë nën dyshimin se transportoi fishekë e para të gatshme.

“Masa të pandehurit N.U. i është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, i armëve apo materialeve plasëse nga neni 364 par.1 i KPRK-së”, konfirmuan nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Të dielën, më 02.11.2025 Policia njoftoi se në vendkalimin kufitar në Jarinjë është arrestuar i dyshuari, pjesëtar i Policisë së Serbisë, për shkak se në veturën me targa të Beogradit të cilën ishte duke e drejtuar gjatë kontrollit në bagazh i janë gjetur dhe konfiskuar 51 fishekë, 9 mijë e 900 euro dhe 26 mijë dinarë serbë.